Blog

LEJEDREJTIMI PËR HERË TË PARË

Kandidati duhet të ndjekë këtë rradhë veprimesh:

a) regjistrim në autoshkollë për kursin e teorisë;
b) testim i njohurive teorike;
c) regjistrim për provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes;
d) provimi i aftësive drejtuese dhe të sjelljes (provimi i praktikës).

a) Regjistrimi në autoshkollë për kursin e teorisë

Për regjistrimin e kandidatit në kursin e teorisë, përfaqësuesi i autoshkollës, pasi plotëson kërkesën për kryerje shërbimi, dorëzon pranë punonjësit të pranimit të sektorit të drejtuesve të mjeteve të DRSHTRR, këto dokumente të kandidatit:
– Kërkesa e kandidatit për pajisje me lejedrejtimi;
– Fotokopje e dokumentit të identifikimit (fotokopje kartë identiteti).
– Certifikatë mjekësore me fotografi, e lëshuar nga qendra shëndetësore me datë jo me përpara se 6 (gjashte) muaj, nga data e pajisjes me autorizim.
– 2 (dy) copë fotografi me ngjyra, me përmasa 4 x 5 cm.
– Mandat arkëtimi për pajisjen me autorizim prej 500 lekë + 500 lekë për hyrje në provimin e teorisë.

Me marrjen në dorëzim të këtyre dokumenteve, pranuesi i DRSHTRR, lëshon autorizimin për përgatitje në teori të kandidatit dhe hyrjen në provat e teorisë.

Para hyrjes në provimin e teorisë kandidati duhet të dorëzoje edhe Dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë

Në autorizim është përcaktuar data e fillimit të kursit të teorisë dhe data pas të cilës kandidati ka të drejtë të futet në provat e teorisë.
Orët e mësimit dhe koha e nevojshme për përgatitjen e njohurive teorike për lejedrejtimi mjeti, në autoshkolla, janë si më poshtë:

– Për lejedrejtimi të kategorisë B 36 orë, në jo më pak se 15 ditë;

Autorizimi është i vlefshëm për 6 muaj nga data e lëshimit të tij. Brenda këtij afati lejohen vetëm 5 prova teorie, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëra provë në tjetrën. Në rast se kandidati nuk fiton provimin e teorisë Brenda 6 muajve apo pas 5 provave, atëherë ai mund të riregjistrohet, në autoshkollë, nga e para.

Për çdo riprovim teorie dorëzohet mandat arkëtimi me vlerë prej 400 lekë.

b) Testimi i njohurive teorike

Kandidati në momentin e provimit të teorisë duhet të paraqitet me kartën e identitetit dhe me autorizimin e teorisë, të firmosur nga drejtuesi teknik i autoshkollës.

Kandidati para se të hyjë në provim duhet të paraqitet në postin ku merret fotografia dhe shkrimi i tij (emër+mbiemër) në mënyrë elektronike. Fotografia shfaqet në ekranin e kompjuterit dhe shfaqet në fletën e testit të printuar. (Vetëm në Drejtorinë Rajonale Tiranë).
Provimi i teorisë është i informatizuar dhe kryhet në kompjuter. Numri i pyetjeve është 40, koha maksimale e zhvillimit të provimit të teorisë është 40 minuta dhe numri maksimal i gabimeve të lejuara është 4.

c) Regjistrimi për provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes

Për regjistrimin e kandidatit në praktikë, kur ka fituar provën e teorisë për kategorinë B, përfaqësuesi i autoshkollës dorëzon, te pranuesi i sektorit të drejtuesve të mjeteve:
– mandat arkëtimi për pajisjen me autorizim të drejtimit të mjetit (kursi i praktikës) prej 200 lekë.
– mandat arkëtimi për provën e verifikimit të aftësive të drejtimit dhe të sjelljes për kategorinë B, prej 1000 lekë.

Me marrjen në dorëzim të këtyre dokumenteve, pranuesi i DRSHTRR, lëshon autorizimin për përgatitje në praktikë të kandidatit dhe hyrjen në provat e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes.

Në autorizim është përcaktuar data e fillimit të përgatitjes në praktikë dhe data pas të cilës kandidati ka të drejtë të futet në provat e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes.

Orët dhe koha e nevojshme për përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes për lejedrejtimi mjeti, në autoshkolla, janë si më poshtë:

– Për lejedrejtimi të kategorisë B 25 seanca në jo më pak se 25 ditë;

Autorizimi është i vlefshëm për 6 muaj nga data e lëshimit të tij. Brenda këtij afati lejohen vetëm 5 prova praktike, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëra provë në tjetrën. Në rast se kandidati nuk fiton provimin e praktikës brenda 6 muajve apo pas 5 provave, atëherë ai mund të riregjistrohet, në autoshkollë, nga e para.
Kandidati në momentin e provimit të praktikës duhet të paraqitet me kartën e identitetit dhe autorizimin e praktikës, të firmosur nga drejtuesi teknik i autoshkollës.
Për çdo riprovim praktike dorëzohet mandat arkëtimi me vlerë prej 500 lekë.

d) Provimi i aftësive drejtuese dhe të sjelljes

Provimi i aftesive drejtuese dhe sjelljes behet ne rruge publike

Kandidatët testohen lidhur me aftësinë e tyre për drejtimin e sigurt të mjetit në manovra të veçanta, sjelljen në trafik, duke kursyer energji dhe mbrojtur mjedisin, sipas përcaktimeve të bëra në autorizimin e praktikës.

Koha minimale e testimit të praktikës është 25 minuta për kategorinë B

Me fitimin e provës së aftësive drejtuese dhe të sjelljes, kandidati bën pagesën për pajisje me lejedrejtimi prej 3500 lekë dhe shlyen tarifën e shërbimit për pajisje me lejedrejtimi prej 4500 lekë për lejedrejtimi të kategorisë B.

Aplikanti pas shlyerjes së detyrimeve bën aplikim elektronik për pajisje me lejedrejtimi.

Leja e drejtimit tërhiqet brenda 7 ditëve pas aplikimit elektronik.

Komente (0):

  • Nuk ka komente ende, por ju mund të jeni i pari

Shto komente:

© 2015 - 2019 Patenta.al