Blog

UDHËZUES PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATË MIRATIMI PËR XHAMAT E ERRËSUAR NË AUTOVETURË

Dispozita të përgjithshme:
* Me errësim të xhamit kuptojmë përdorimin e një ose më shumë materialeve errësuese, por që në total nuk kalojnë vlerat e lejuara që parashikon Udhëzimi Nr.5, datë 7.10.2019 “Për miratimin dhe certifikimin e xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura.” për nivelin e tejçueshmërisë së dritës në xhamat e errësuar.
* Lejohet qarkullimi i mjeteve me xhama të errët të homologuar nga prodhuesi i xhamave.
* Çdo xham që vishet me material të homologuar duhet të miratohet nga DPSHTRR. Xham i errësuar do të konsiderohet xhami i veshur me material të homologuar që ka tejçueshmëri drite (TD) më pak se 70%.
* Nuk lejohet qarkullimi me xhama të errësuar të pacertifikuar nga DPSHTRR.
* Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës (TD) në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125mm.
* Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite (TD) jo më pak se 40%! Duhet patur parasysh që errësimi qe ka xhami origjinal së bashku me materialin errësues të mos e kalojnë nivelin e 60% errësim! Errësimi i xhamave të përparmë anësor tarifohet me vlerën 20,000 Lekë për të dy xhamat (përveç tarifës prej 1,500 Lekë të certifikatës së miratimit për këtë shërbim).
* Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin e pasmë fundor, tejçueshmëria e dritës (TD) mund të jetë deri në 70%, me kushtin që të mos cënohet sistemi i shikimit prapa sipas parashikimit të gërmës “f”, të pikës 1, të nenit 72 të Kodit Rrugor.
* Për grilat që janë pjesë konstruktive e autoveturës, nuk bëhet e nevojshme pajisja me certifikatë miratimi nga DPSHTRR.
* Për autoveturat me xhama origjinalë parashikohet:
* për xhama të pasmë anësor dhe xhamin e pasmë fundorë, origjinalë të errët, të paveshura me materiale errësuese, nuk bëhet e nevojshme pajisja me certifikatë miratimi nga DPSHTRR.
* për xhama të përparmë anësorë, origjinalë, me tejçueshmëri drite (TD) jo më pak se 70% nuk bëhet e nevojshme pajisja me certifikatë miratimi nga DPSHTRR.
* për xhama të përparmë anësorë, të errët, duhet të respektohet niveli i tejçueshmërisë së dritës (TD) jo më pak se 40%! Zotëruesi i mjetit duhet të paraqitet pranë Drejtorisë Rajonale sipas juridiksionit ku ju keni banimin për pagesën e tarifës prej 20,000 Lekë dhe pajisjen me certifikatë miratimi e cila kushton 1,500 Lekë.

Nuk lejohet që për errësimin e xhamave të përdoren:
1. Materiale me ngjyra monokromatike si e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj;
2. Materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues;
3. Materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë;
4. Materiale që krijojnë efekte turbulluese ose shpërqëndruese për shikimin e drejtuesit të mjetit;
5. Materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse.

Tarifat për këtë shërbim:
* Miratimi i errësimit për xhamin fundor, xhamat anësorë të pasëm, xhamat trekëndorë të pasmë të autoveturës – 1,500 Lekë.
* Miratimi i errësimit për xhamat anësorë të përparmë të autoveturës – 20,000 Lekë.
* Certifikata e miratimit të errësimit të xhamave të autoveturës – 1,500 Lekë.

Marrë nga DPSHTRR.

Komente (0):

  • Nuk ka komente ende, por ju mund të jeni i pari

Shto komente:

© 2015 - 2019 Patenta.al